Gostivar, vend i veçantë në “Rusino” për hedhjen e mbetjeve të kurbaneve

Në prag të festës së Kurban Bajramit, Ndërmarrja Publike Komunale “Komunalec” – Gostivar në bashkëpunim me Komunën dhe Myftininë e Gostivarit, kanë ndërmarrë një aksion për mirëmbajtjen e pastërtisë në prag të festës së Kurban Bajramit dhe apelojnë deri te qytetarët që mbetjet nga therja e Kurbaneve të mos hidhen në vende ku mund të shkaktojnë më pas probleme shëndetësore për qytetarët, por t’i dërgojnë në deponinë rajonale “Rusino”, aty ku është hapur një gropë e posaçme për hedhjen e mbetjeve nga kurbani.

Gropa është hapur nga ndërmarrja publike “Komunalec” – Gostivar, e cila njofton të gjithë qytetarët se hedhja e lëkurave dhe mbetjeve tjera, është pa pagesë.

“Informojmë qytetarët se në deponinë “Rusino” mund të bëjnë hedhjen e mbetjeve organike të cilat ne gjykojmë se janë hedhje që mund të prishen dhe kalben shumë shpejtë dhe të vijmë në një situatë ku mund të rrezikojmë edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, deklaron Isak Lazami, drejtor i N.P “Komunalec” – Gostivar.

Me këtë rast, drejtori Lazami në emrin e tij dhe të të gjithë të punësuarve në N.P “Komunalec” uron të gjithë besimtarët mysliman për festën e Kurban Bajramit, e cila është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë sipas traditës islame.