Një shekull të lënë në harresë: 100 shtëpi me rreth 600 banorë në rrugën e “Balindollit” bëhen me kanalizim dhe rrugë të reja

Nga mesjeta në kushte normale jetese. Rreth 600 banorë në rrugën e “Balindollit”, të cilët mbi një shekull kanë jetuar pa kanalizim dhe rrugës, së fundmi ato u rregullohen. Kjo lagje kryesisht e banuar me popullatë rome, ndodhet shumë afër qytetit, por ka qenë turp të jetohet aty, thonë banorët, sipas të cilëve çdo cikël zgjedhor kanë marrë premtim se do tu rregullohet kanalizimi dhe rruga. Ato janë duke u rregulluar nga Komuna e Gostivarit dhe ndërmarrja “Komunalec” dhe pritet të lëshohen në përdorim nga fundi i kësaj jave.

Lagje e cila ekziston mbi një shekull, e pa infrastrukturë funksionale në mes të Gostivari, këto ditë ka filluar të marrë pamjen e merituar. Ajo ndodhet në kilometrin e parë të rrugës së “Balindollit”, numëron 100 shtëpi dhe rreth 600 banorë. Në këtë lagje, kryesisht të banuar me popullatë rome, fillimisht është ndërtuar kanalizimi në gjatsi mbi 600 metra dhe tani rregullohen pesë rrugica që lidhen me njëra – tjetrën. Ata së bashku kanë sipërfaqe prej 1000m2 dhe po shtrohen me pllaka bekatoni. Punët ndërtimore në këto lagje pritet të përfundojnë kah fundi i javës. Investimi i përbashkët i Komunës së Gostivarit dhe ndërmarrjes publike “Komunalec” është përshëndetur nga banorët, të cilët thonë se rregullimi i lagjes u ishte premtuar në çdo cikël zgjedhor nga të gjitha partitë politike.

“Asnjëherë nuk kemi pasu një investim të këtill. Kjo 100 vite është kështu. Ka pasur shumë kryetar komunash që kanë ardhur, kanë premtuar, por asgjë nuk kanë bërë. Tani, kryetari aktual atë që e premtoi edhe e bëri. Gjithçka është duke na u ndërtuar, kanalizim, bekatonim i rrugëve, siç mund ta shihni e gjithë lagja rregullohet nga të katër anët”, tha Muzafer Useini, banorë i lagjes.

Kjo lagje ka një numër të madh fëmijësh, ndërsa prindërit e tyre thonë se vetëm nga ky vit ata mund të dalin e të luajnë pasi në të kaluarën një gjë e tillë ka qenë e pamundur nga balta e ujërat e zeza që janë derdhur në sipërfaqet rrugore.

“Të vinit para një mujai në këtë lagje do të shihnit kaosin që mbretëronte. Besoni se nuk jetoheshte nga era e keqe e ujërave të zeza pasi nuk kishim kanalizim. Ishte turp pasi ndodhemi në mes të qytetit, por funksiononim me gorpa septike. Kishim një takim me kryetarin Arben Taravari, me deputetin Halil Snopçe dhe me drejtorin e “Komunalec” Isak Lazami. Ata premtuan se do ta rregullojnë dhe ja e mbajtën fjalën. Pra, ata i shpëtuan pas shumë vitesh këto familje që jetojnë këtu ndër vite”, deklaroi Agim Abduli, një tjetër banorë i kësaj lagje.

Periudhën e vjeshtës kjo lagje shpesh vërshohej nga rreshjet, ndërsa këtë vit kjo brengë dhe dëmet e shkaktuara nga uji që futeshte nëpër shtëpi, merr fund, thonë banorët e anketuar, pasi i gjithë uji atmosferik është siguruar të përfundon në puseta të cilat janë ndërtuar së bashku me kanalizimin. Kohë më parë, Komuna e Gostivarit edhe në një lagje tjetër pranë kësaj ku aktualisht punohet, rregulloi rrejtin e kanalizimi dhe rrugët u shtruan me pllaka bekatoni.