Persona të papërgjegjshëm ndezin deponinë “Rusino”

Një zjarr në vend të hapur ka shpërthyer para kohës së iftarit sonte në deponinë rajonale Rusino. Zjarri ka kapluar mbeturinat dhe materiet e tjera djegëse dhe nga vendi po përhapet tym dhe erë e cila po ndjehet në qytet dhe lagjet përreth.

Nga ndërmarrja komunale publike “Komunalec”, e cila menaxhon me deponinë konfirmuan se ka zjarr në një pjesë e cila është në terren ku nuk ka qasje. Këtë e kanë denoncuar në njësinë territoriale zjarrfikëse. Sipas paralajmërimeve shuarja e zjarrit në deponi, sipas gjitha gjasave do të lokalizohet pas 3-4 orëve.

 

Deri te shpërthimi i zjarrit ka ardhur pas djegies së disa gomave.

“Sipas informacioneve tona pas këtij zjarri qendron faktori njeri. Janë djegur goma të cilat pastaj kanë përfshi mbeturinat. Për fat të keq kjo ndodh gjithmonë kur kemi festa dhe bëhet me tentativë për imaxh të keq për qytetin tonë”, thotë drejtori i N.P “Komunalec”, Isak Lazami.

Drejtori Lazami premton se zjarri do të lokalizohet shpejtë dhe dërgon apel deri te organet kompetente sa më parë të zbulojnë autorët që kanë shkaktuar djegien e deponisë.