Largohen mbeturinat dhe dezinfektohet Qendra tregtare “Javor” në Gostivar

Ndërmarrja Publike “Komunalec”, gjatë mëngjesit të sotëm ka larguar të gjitha mbeturinat e grumbulluara së fundmi te Qendra tregtare “Javor” në Gostivar.

Pas tubimit dhe bartjes së mbeturinave, vendi i tëri është larë dhe dezinfektuar, e gjitha kjo për shkak të pandemisë me Covid 19.

Drejtori i N.P “Komunalec”, Isak Lazami deklaron se nuk dihet se si ka ardhur deri te grumbullimi i mbeturinave në atë vend. Pasi bëhet fjalë për qendër te e cila ka shumë biznese të vendosura, është befasuese se kush i ka hedhur mbeturinat në atë vend.

“Megjithatë, unë dua të falenderojë qytetarët të cilët e raportuan këtë raste deri te ne si ndërmarrje, dhe sot punonjësit e higjienës herët në mëngjes e pastruan të njejtën. Kjo ndërgjegje qytetare urojë të mbretërojë te të gjithë banorët e Gostivarit, të raportohen raste të tilla që ne të marrim masat e duhura në kohë”, deklaroi drejtori i N.P “Komunalec”, Isak Lazami.

Ai, me këtë rast ka drejtuar apel deri te të gjithë banorët e Gostivarit me rrethinë që t’u përmbahen rregullave, të mos hedhin vend e pa vend mbeturina, aq më pak kur tani jemi në situatë ku “luftohet” me një virus të ri, nga i cili për mbrojtje rekomandohet higjienë e shtuar.

Ndryshe, ndërmarrja për mbi një muaj për çdo natë bënë larjen dhe dezinfektimin e rrugëve të qytetit dhe fshatrave në Gostivar.