Ndërmarrja Publike “Komunalec”, përgatit kosha special për grumbullimin e shisheve të plastikës

Ndërmarrja publike “Komunalec” e Gostivarit përgatit kosha të reja për hedhjen dhe grumbullimin e ambalazhit të shisheve plastike. Të njejtat përgatiten nga vetë punonjësit e ndërmarrjes, me një formë të shishesh, të parat e këtij lloji në vendin tonë që së shpejti do të vendosen në shërbim të qytetarëve.

Koshat e rinj do të shërbejnë edhe për riciklim të mbaturinave, konkretisht të shisheve plastike, duke i zëvendësuar ato ekzistuesit.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Gostivar, Isak Lazami tha se e gjithë procedura, nga ideja e deri në realizim, zhvillohet nga punonjësit e vetë ndërmarrjes.

“Pas përmirësimit të motit do të fillojmë me instalimin e të njejtave në qytet. Do të fillojmë nga parku i madh i qytetit, për të vazhduar pastaj te pjesët tjera me frekuentim më të madhe dhe aty ku grumbullohen më shumë mbeturina”, deklaron drejtori i N.P “Komunalec”, Isak Lazami.

Ndryshe, për dy vitet e fundit në Gostivar janë ndërruar thuajse të gjithë kontenjerët e vjetër me të rinj dhe është shtuar numri i të njejtive së bashku me kosha të tjerë, janë vendosur edhe kontenjerë për riciklim të mbeturinave, ndërsa për herë të parë kontenjerë për grumbullimin e mbeturinave janë vendosur edhe nëpër fshatra.