Gostivar, vazhdojnë aktivitetet në lidhje me mbrojtjen e mjedisit jetësor

Komuna e Gostivarit dhe NP “Komunalec” në vazhdimësi kujdesen për mbrojtjen e mjedisit jetësor, në përputhje me kompetencat konform ligjit për vetëqeverisje lokale, por në ketë drejtim presim edhe ndihmën e popullatës. Respektivisht qytetarët të kyçen në mënyrë aktive në mbrojtje të mjedisit jetësor dhe natyrës.

Të kujdesemi të gjithë që mbeturinat të hidhen ne vende të caktuara e jo të krijohen deponi të egra kudo përreth nesh.

Ashtu sikur Komuna e Gostivarit dhe ndërmarrja publike komunale, ashtu edhe qytetarët e kanë obligim njerëzor t’u përmbahen rregullave në lidhje me mbrojtjen e tokës nga mbeturinat. Hedhja e tyre vend e pa vend e dëmton rëndë mjedisin rrethues dhe shëndetin e njeriut.

Ambienti i pastër jetësor është e drejtë themelore e njeriut, natyra ndotet shumë lehtë, por pastrohet me shumë vështirësi.

Komuna e Gostivarit nëpërmes NP ”Komunalec” disa herë ka ndërmarrë aksione ekologjike për pastrimin e mbeturinave të hedhura në vende të palejuara. Janë eliminuar shumë deponi të egra dhe do të vazhdojmë me masa të tilla adekuate, por kjo dukuri e krijimit të deponive të tilla të egra, na përsëritet vazhdimisht. Patjetër të reagojmë të gjithë ne, si qytetarë, si banorë të lokaliteteve ku jetojmë që sa më pak të kemi deponi të tilla.

Të kujdesemi të gjithë se bashku për mjedis të pastër, për një qytet të pastër për të mirën tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë!